
Kosova është e ndërtuar mbi parimin e ekonomisë së tregut të lirë. Por realiteti i përditshëm tregon se kemi të bëjmë me një ekonomi të paplotë tregu – të dominuar nga informaliteti, mungesa e transparencës, praktika monopoliste dhe mungesë efikase të mbikëqyrjes shtetërore.
Në këtë realitet, konsumatori është më i pambrojturi, ndërsa bizneset e ndershme shpesh konkurrojnë në kushte të pabarabarta. Është koha të themi qartë: transparenca, faturimi elektronik dhe kufizimi i fitimit në sektorët jetik nuk janë cenim i ekonomisë së lirë, por baza e saj.
Pesë hapat për një treg më të ndershëm dhe funksional në Kosovë:
1. Zbatimi urgjent i faturimit elektronik për të gjitha bizneset (e-fatura)
Pa faturë nuk ka transparencë, nuk ka barazi tatimore, nuk ka të hyra publike të qëndrueshme. E-fatura është instrumenti modern që vendos disiplinë, drejtësi dhe gjurmueshmëri në çdo transaksion ekonomik. Është mënyra e vetme për të mbyllur derën informalitetit dhe mashtrimit fiskal.
2. Publikimi i përditshëm i çmimeve nga të gjitha bizneset që ofrojnë produkte apo shërbime
Marketet, barnatoret, klinikat, serviset, shkollat private, studiot e bukurisë, restoranet – të gjitha duhet të publikojnë çmimet në uebfaqe apo platformë të dedikuar. Konsumatori duhet ta dijë paraprakisht çfarë do të paguajë. Kjo rrit besimin dhe ul abuzimin. Publikimi i çmimeve nuk kufizon tregun, por e ndihmon të jetë i ndershëm dhe konkurrues.
3. Vendosja e marzhit të lejuar të fitimit për barnat dhe produktet jetike
Nuk ka asnjë justifikim që barnat dhe produktet ushqimore bazike të shiten me çmime të papërcaktuara. Në vend të çmimit fiks, duhet të aplikohet një marzh i kontrolluar fitimi (p.sh. deri në 10-15%). Kjo praktikë përdoret edhe në shtetet më të zhvilluara dhe është instrument mbrojtës për shëndetin dhe mirëqenien sociale.
4. Krijimi i një platforme publike për krahasimin e çmimeve në nivel vendi
Një platformë unike, e përditësuar nga vetë bizneset, ku qytetarët mund të krahasojnë çmimet dhe ofertat në treg. Kjo i jep konsumatorit fuqi reale për të zgjedhur, duke i detyruar bizneset të jenë të ndershme dhe konkurruese.
5. Forcimi i inspektimeve dhe ndëshkimeve për abuzuesit
Ligji nuk ka kuptim pa zbatim. Mungesa e fatures, mashtrimi me çmime, shkelja e marzhit të lejuar – të gjitha duhet të ndëshkohen me gjoba të menjëhershme dhe mbyllje të përkohshme në rast përsëritjeje. Inspektorati duhet të modernizohet dhe digjitalizohet për të qenë i efektshëm.
Ekonomia e tregut të lirë nuk do të thotë treg pa rregulla. Ajo funksionon vetëm kur ka lojë të ndershme, mbrojtje të konsumatorit, dhe konkurrencë reale. Sot, Kosova ka nevojë për politika të guximshme, që të mos mbetemi ekonomi me etiketa, por me përmbajtje. E-fatura, transparenca në çmime dhe rregullimi i sektorëve jetik janë pjesë e një tregu të ndershëm, të zhvilluar dhe evropian – jo cenim i tij.
Sondazh publik:
A jeni për rritjen e transparencës së çmimeve në të gjitha bizneset dhe zbatimin e e-faturës në Kosovë? Klikoni KËTU për të dhënë mendimin tuaj.