
Kur dija takohet me praktikën, hapen dyer të reja për profesionistët e së ardhmes.
Prishtinë, 30.09.2026
Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa – IKAF, shënoi sot një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjes ndërmjet kualifikimit profesional, praktikës dhe tregut të punës, përmes nënshkrimit të 6 Memorandumeve të Bashkëpunimit me kompani dhe biznese në vend.
Marrëveshjet u nënshkruan me Perfect Paper Cups L.L.C., Roal Consulting SH.P.K., Rama Consulting L.L.C., Adelina Zeneli B.I., FINPOINT BK SH.P.K. dhe Mehmet Isufaj B.I. (PROFINANCË).Bashkëpunimet synojnë të krijojnë mundësi praktike për studentët dhe kandidatët e IKAF-it, duke u mundësuar atyre që njohuritë e fituara gjatë kualifikimit profesional t’i lidhin me përvojën reale në ambientin e punës.
Gjatë ceremonisë, z.Bujar Krasniqi – Drejtor Ekzekutiv i Institutit KAF, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe faktin se shumë prej partnerëve të rinj janë njëkohësisht edhe anëtarë të Institutit. Për IKAF-in, anëtarët nuk janë vetëm përfitues të shërbimeve tona, por partnerë në zhvillimin e profesionit. Prandaj, synimi ynë është që këto marrëveshje të sjellin më shumë praktikë, më shumë shkëmbim njohurish dhe më shumë mundësi për profesionistët e rinj. Le të mos mbeten këto marrëveshje vetëm dokumente të nënshkruara sot, por të bëhen mundësi reale, përvoja të para dhe histori të reja profesionale.
Ai falënderoi partnerët për besimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar, si dhe znj. Mejreme Krasniqi Sadiku, Koordinatore e këtij programi, për punën dhe koordinimin e procesit.
Gjatë ceremonisë, znj. Mejreme Krasniqi Sadiku, Koordinatore e këtij programi, falënderoi përfaqësuesit e kompanive për besimin, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të investuar në profesionistët e rinj. Një praktikant nuk është vetëm një person që vjen për të mësuar, mund të jetë profesionisti juaj i ardhshëm. Dikush që sot, po kërkon një mundësi, ndërsa nesër mund të jetë pjesë e rëndësishme e ekipit tuaj.
Ajo theksoi se synimi është që marrëveshjet e nënshkruara sot, të mos mbeten vetëm në letër, por të shndërrohen në histori të reja suksesi, përvojë dhe karriera të ndërtuara përmes mundësive të para profesionale.
Ceremonia e sotme i paraprin fillimit të ligjëratave të reja në IKAF, duke e bërë edhe më domethënës këtë moment, ndërsa studentët e rinj nisin rrugëtimin e tyre drejt kualifikimit profesional, IKAF po krijon paralelisht ura që mund t’i çojnë ata nga auditorët drejt praktikës dhe tregut të punës.
Ky është drejtimi që IKAF synon të forcojë përmes bashkëpunimit me komunitetin e biznesit dhe profesionistët e fushës. IKAF shpreh mirënjohjen e veçantë për Roal Consulting SH.P.K., Perfect Paper Cups L.L.C., Rama Consulting L.L.C., Adelina Zeneli B.I., FINT BK SH.P.K. dhe Mehmet Isufaj B.I. (ProFinancë) për besimin, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj nisme.
Sepse kur institucionet dhe bizneset bashkojnë forcën, krijohen më shumë mundësi për profesionistët e së ardhmes.
IKAF – Nga kualifikimi te profesioni.