IKAF përkrah zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive profesionale të stafit të ZKA-së

IKAF përkrah zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive profesionale të stafit të ZKA-së, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ZKA-në.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF), Bujar Krasniqi nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit me qëllim të përkrahjes se ZKA-së për zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive profesionale të stafit.

Programi i zhvillimit profesional do të ofrohet në përputhje me standardet ndërkombëtarë për institucionet supreme të auditimit dhe synon të mbulojë fusha të caktuara që ndërlidhën me rolin dhe funksionin e ZKA-së.

Palët u pajtuan që në kuadër të këtij bashkëpunimi të mbulohen edhe aktivitete të tjera zhvillimore që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të ZKA-së në përputhje me standardet më larta.

Marrëveshja është nënshkruar si vazhdimësi e bashkëpunimit të mëhershëm të ZKA-së dhe IKAF-it, ndërsa, vlen për tu theksuar se, sipas marrëveshjes, IKAF-i do t’i ofrojë punonjësve të ZKA-së falas antarësimin në IKAF dhe 12 orë të edukimit të vazhdueshëm profesional çdo vit.

Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca, falënderoi drejtuesit e IKAF-it për ofrimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe mbështetjen profesionale ndaj auditorëve të ZKA-së, në veçanti për ofrimin e shërbimeve të trajnimeve pa pagesë. “Avancimi i njohurive dhe praktikave te reja të auditimit përmes mundësive për edukim do ta forcojnë edhe më shumë cilësinë e punës dhe do të jenë vlerë e shtuar për ZKA-në”, theksoi znj. Spanca.

Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi theksoi se “kjo marrëveshje synon të rrisë standardet profesionale në auditim, përmes trajnimeve të vazhdueshme të edukimit profesional, seminareve dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta dhe bazohet në Moton e INTOSAI-t “Të gjithë përfitojnë nga përvoja e përbashkët””.

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *