Zgjedhet bordi drejtues i Institutit KAF

Instituti i Kontabilistëve dhe Auditorëve të Kosovës (IKAF) është krenar të njoftojë zgjedhjen e Bordit të tij të ri drejtues për periudhen e ardhshme katër (4) vjeçare. Ky është një moment kyç në historinë e organizatës sonë që synon të çojë përpara standardet dhe praktikat profesionale në sektorin financiar të vendit tonë.

Njëkohësisht, Instituti KAF falënderon anëtarët e deritanishëm të bordit dhe shpreh respekt të plotë për punën dhe kontributin e tyre gjatë mandatit katërvjeçar. Kontributi i tyre ka qenë i çmueshëm për përparimin e IKAF-it dhe realizimin e misionit tonë të përbashkët. Profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni i tyre kanë ndihmuar në zhvillimin e organizatës sonë, duke siguruar që IKAF të mbetet lider në fushën e trajnimeve dhe certifikimeve në kontabilitet, auditim dhe financa publike në Kosovë

Procesi i Zgjedhjes dhe Përfaqësimi

Procesi i zgjedhjes së Bordit të ri, i cili u përmbyll më 8 gusht 2024, shënoi një pjesëmarrje të gjerë dhe të angazhuar të anëtarëve aktivë të Institutit KAF. Ky proces siguroi një përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës të interesave dhe nevojave të të gjithë komunitetit tonë profesional, duke mundësuar që zërat e të gjitha kategorive të jenë të dëgjuar dhe të përfshihen në drejtimin e Institutit.

Bordi i ri i Institutit KAF përbëhet nga profesionistë të dalluar dhe të përkushtuar që sjellin një gamë të gjerë përvojash dhe ekspertizash nga fusha të ndryshme në menaxhimin e financave publike, kontabilitet, auditim dhe vlerësime të biznesit.

Anëtarët e rinj të Bordit janë:

– Kryetar: Z. Nexhit Shala, me përvojë të gjerë në kontabilitetin ndërkombëtar, auditim dhe në edukimin profesional.

– Anëtar: Z. Lulzim Ismajli, ekspert me përvojë në menaxhimin e financave publike, në sektorin bankar dhe në këshillim të organizatave buxhetore.

– Anëtar: Z. Lirim Amiti, ekspert në auditimin e brendshëm dhe menaxhimin e rrezikut, si dhe në edukim profesional.

– Anëtar: Z. Imri Semetishti, ekspert me përvojë në çështje ligjore brenda institucioneve të Kosovës, si dhe në edukim profesional.

Instituti KAF vazhdon të përmbushë nevojat e anëtarëve të tij dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Këto prioritete përfshijnë:

1. Rritjen e zbatueshmërisë së Standardeve Profesionale:   Përmirësimi i kurrikulave të trajnimeve dhe certifikimeve për të siguruar që profesionistët tanë janë të përgatitur për sfidat e tregut global dhe janë në gjendje të ofrojnë shërbime me cilësi të lartë.

2. Zgjerimi i Bashkëpunimeve Ndërkombëtare:   Ngritja e bashkëpunimeve me organizata ndërkombëtare për të sjellë praktikat më të mira dhe njohuritë më të fundit në Kosovë, duke mundësuar që anëtarët tanë të përfitojnë nga rrjetet globale të ekspertizës.

3. Mbështetja e Zhvillimit Profesional të Anëtarëve:   Ofrimi i më shumë mundësive për trajnime të vazhdueshme dhe zhvillim profesional, duke ndihmuar anëtarët tanë të mbajnë ritmin me ndryshimet në sektorin financiar dhe të avancojnë në karrierat e tyre.

4. Rritja e Ndikimit në Politikën Fiskale:   Bashkëpunimi me institucionet publike për të ndikuar në zhvillimin e politikave që mbështesin rritjen dhe stabilitetin ekonomik, duke siguruar që sektori financiar në Kosovë të jetë i qëndrueshëm dhe i zhvilluar.

5. Përmirësimi i Shërbimeve për Anëtarët:   Zhvillimi i platformave dhe shërbimeve të reja digjitale për të lehtësuar akcesin në burimet dhe mbështetjen që ofron Instituti KAF, duke e bërë më të lehtë për anëtarët tanë të përfitojnë nga ofertat tona.

Instituti KAF mbetet i përkushtuar për të mbështetur dhe promovuar profesionistët financiarë në Kosovë. Me zgjedhjen e këtij Bordi të ri, ne jemi të sigurt se do të vazhdojmë të ecim para me hapa të fuqishëm drejt një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë.

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *