Seminaret në Strugë trajtuan trendet e fundit të Auditimit të TI-së dhe Menaxhim të Riskut

Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF) ka organizuar në Strugë të Maqedonisë dy (2) seminare që kanë të bëjnë me Auditim, Kontroll, Risk dhe Monitorim.

Përfaqësues të institucioneve publike dhe private kanë pasur mundësinë që gjatë shtunës dhe të dielës të ndjekin në Strugë seminarin për Auditimi i TI-së dhe Kontrollet si dhe atë për Rolin e zyrtarëve dhe menaxhmentit në hartimin praktik të regjistrave të riskut dhe monitorimi.

Në seminarin e parë të organizuar gjatë të shtunës, ligjëruesit kanë trajtuar tema lidhur me kontrollet e aplikacionit në sisteme kritike të biznesit dhe kontrollet e përgjithshme në TI-së. Fokusi i ligjëratës u përqendrua në rreziqet kyçe dhe kontrollet në fushat e qasjes së shfrytëzuesve në aplikacione, siguria e bazës, rrjetat, menaxhimi i ndryshimeve dhe rikthimi nga fatkeqësia.

Ligjërues të këtyre seminareve i vlerësuan trajnimet si mjaft të efektshme dhe me rëndësi për vijuesit e seminareve.

Dafina Sadiku-  ligjëruese e Auditimit të Sistemeve të Informacionit tha se trendet që po i sjell tekonologjia në fushën e auditimit janë sfidë për profesionistët. Për këtë arsye, sipas asaj, trajnimi i IKAF lidhur me këtë temë është i drejtë dhe në kohën e duhur.

“Qëllimi ishte që pjesëmarrësit të kuptojnë se çka munden ata përmes aktiviteteve të auditimit të TI-së të kontribuojnë në organizatë, në një ambient kompleks teknik, ku sistemet e informacionit kanë ndikim kritik në arritjen e objektivave të organizatës”.

Ky Seminar trajtoi konceptet themelore të teknologjisë së informacionit dhe auditimit të TI-së, si dhe përmes rastit të studimit u shpalosën fazat e një procesi auditimi për pjesëmarrësit.

“U trajtuan edhe kornizat dhe standardet për auditim, kontrollet e aplikacionit në sisteme kritike të biznesit dhe kontrollet e përgjithshme në TI-së”, tha ajo.

Ligjëruesja Sadiku tha se Seminari ishte interaktiv, ku pjesëmarrësit edhe shkëmbyen eksperiencat e tyre sa i përket temave që u trajtuan, dhe sipas saj, kjo shërbei që të kuptohet interesi i institucione për trajtim të fushave të veçanta që kanë të bëjnë me auditimin e TI-së.

Ndërkohë, ligjëruesi për Qeverisje të Korporatave dhe Menaxhimit të Riskut,  Lirim Amiti, tha se fokusi bazë i Seminarit “Roli i zyrtarëve dhe menaxhmentit në hartimin praktik të regjistrave të riskut dhe monitorimi”, ishte t’i informojë të pranishmit për rëndësinë që ka menaxhimi i vazhdueshëm i riskut.

“Menaxhimi i rrezikut nuk duhet të jetë një proces një herë në vit, por duhet të zhvillohet, ndiqet dhe përditësohet sipas nevojës bazuar në ndryshimet e rrezikut në nivel organizativ. Të kuptuarit e strategjisë dhe objektivave, përcaktimi i rreziqeve për arritjen e tyre dhe shtimi i një niveli të ri të transparencës ndaj përgjigjeve ndaj rrezikut duhet të lehtësojë dhe të demonstrojë përdorimin më efektiv të burimeve të institucionit në krijimin dhe ruajtjen e vlerës”.

“U trajtua roli i niveleve të ndryshme organizative sa i përket menaxhimit të rrezikut, me theks në rolin e tre linjave të mbrojtjes, u shqyrtua i gjithë procesi i vlerësimit të rrezikut dhe përmes shembujve të praktikës dhe rasteve studimore në identifikimin e rreziqeve, përcaktimin e oreksit dhe tolerancës së rrezikut, përgjigjeve për adresimin e rreziqeve të identifikuara, si dhe cilat janë përfitimet e organizatës nëse është menaxhimi i rrezikut efektiv”.

“Me theks të veçantë u shpjegua aspekti i rëndësisë së regjistrit të rrezikut i cili informon vendimmarrjen dhe lejon një organizatë të tregojë se si identifikon dhe menaxhon kërcënimet për objektivat e saj në mënyrë efektive dhe praktikisht pjesëmarrësit identifikuan dhe vlerësuan rreziqe, adresuan trajtimet e rreziqeve përkatëse dhe punuan në hartimin e një regjistri rreziku” tha ligjëruesi Amiti.

Këto ishin seminaret e radhës që IKAF vazhdon t’i organizojë për të interesuarit dhe ku po trajtohen temat më aktuale që lidhen me fushat e kontabilitetit, auditimit dhe financave.

Dy seminaret e radhës do të jenë “Përmirësimi i menaxhimit financiar dhe kontrollit me anë të kuadrit ligjor për realizimin e punës audituese” dhe “Planifikimi i auditimit dhe qasja praktike në auditimin e brendshëm, në sektorin publik dhe privat”. Që të dy këto seminare IKAF do t’i organizojë në Budva të Malit të Zi.

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *