Njoftim: U mbajt Mbledhja e Bordit të Instituti KAF

Instituti KAF, Prishtinë, 11 dhjetor 2025

Më 11 dhjetor 2025, në Prishtinë, u mbajt mbledhja e radhës e Bordit të Institutit KAF, e zhvilluar në ambientet e selisë së Institutit, me fillim në ora 17:00.

Mbledhja u drejtua nga Kryetari i Bordit, z. Nexhit Shala, dhe u fokusua në shqyrtimin e çështjeve strategjike dhe planifikuese me rëndësi për vitin 2026.

Gjatë mbledhjes, Bordi miratoi Planin e Punës së Bordit për vitin 2026, duke përcaktuar prioritetet dhe drejtimet kryesore të veprimit. Po ashtu, u shqyrtua Plani Vjetor i Punës së Institutit KAF për vitin 2026, i cili, pas diskutimeve, u procedua për miratim në Kuvendin e Anëtarëve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua Programit për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin e Cilësisë së Punës së Institutit KAF për vitin 2026, i cili synon forcimin e standardeve profesionale dhe harmonizimin me praktikat më të mira ndërkombëtare. Edhe ky program u bart për miratim në Kuvend.

Bordi shqyrtoi gjithashtu Planin Financiar të Institutit KAF për vitin 2026, si dhe duke analizuar aspektet financiare, operacionale dhe institucionale që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të Institutit.

Gjatë diskutimeve, u vlerësuan lart arritjet e Institutit KAF në digjitalizimin e shërbimeve, me theks të veçantë në modernizimin e proceseve, rritjen e efikasitetit dhe lehtësimin e qasjes së anëtarëve në shërbimet institucionale. Bordi u njoftua nga Drejtori Ekzekutiv për risitë digjitale, të cilat pritet që së shpejti të vihen në shërbim të anëtarëve, duke avancuar më tej përvojën e tyre dhe funksionimin e Institutit sipas standardeve bashkëkohore.

Mbledhja u zhvillua në frymën e angazhimit profesional, duke reflektuar përkushtimin e Bordit për planifikim të kujdesshëm, transparencë, inovacion dhe forcim të vazhdueshëm të rolit të Institutit KAF në zhvillimin e profesionit të kontabilitetit, auditimit dhe financave në Kosovë.

Secili anëtar i Bordit dha një kontribut të jashtëzakonshëm, falë përvojës së tyre të madhe profesionale dhe angazhimit të vazhdueshëm në shërbim të Institutit.
z. Lulzim Ismajli u veçua për qasjen strategjike dhe vizionin afatgjatë,
z. Lirim Amiti për kontributin e tij të qëndrueshëm në standarde dhe cilësi profesionale,
ndërsa z. Imri Semetishti për analizat e qarta dhe qasjen praktike në vendimmarrje.
Kontributi i secilit u vlerësua si thelbësor për cilësinë e diskutimeve dhe vendimet e marra nga Bordi.

Në vijim, Bordi shqyrtoi edhe tarifat e anëtarësimit profesional dhe tarifat për Edukimin e Vazhdueshëm Profesional (EVP). Duke marrë parasysh situatën aktuale ekonomike dhe rritjen e përgjithshme të çmimeve në Kosovë, u dakordua që tarifat e anëtarësimit të mos rriten për vitin 2026, me qëllim ruajtjen e qasjes së përballueshme për profesionistët.

Sa i përket EVP-së, u vendos që tarifat të unifikohen, pa aplikuar zbritje të veçanta për anëtarët, duke u zbatuar në mënyrë të barabartë si për anëtarët ashtu edhe për jo-anëtarët. Edhe pse gjatë diskutimeve u shqyrtua mundësia e rritjes së tarifave për të dy kategoritë, duke marrë parasysh interesin e anëtarësisë dhe rrethanat aktuale, u dakordua që për vitin 2026 të mos ketë rritje të tarifave të anëtarësimit, por vetëm unifikim të tarifave për EVP. Ky vendim synon trajtim të barabartë dhe zgjerim të mundësive të pjesëmarrjes, veçanërisht në aktivitetet e EVP-së që vlerësohen me interes për institucionet dhe organizatat ku profesionistët veprojnë.

Mbledhja përfundoi me dakordim të plotë për hapat e ardhshëm, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Bordit dhe menaxhmentit, me qëllim që objektivat strategjike për vitin 2026 të realizohen me sukses dhe në interes të anëtarëve dhe profesionit.

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *