Ruajtja e të dhënave të klientëve pritet të jetë ndër sfidat
kryesore për kontabilistët apo edhe për firmat që ofrojnë shërbime
kontabiliteti.
Me zhvillimin e teknologjisë dhe automatizimin e shërbimeve,
grumbullimi dhe ruajtja e të dhënave do të jetë një sfidë për kontabilistët,
duke pasur parasysh mundësinë që ato rrezikohen nga vjedhësit kibernetik.
Ndër pikat më kritike pritet të jetë rreziku që këta vjedhës
kibernetik të arrijnë deri te dokumentet e klientëve, kryesisht kartelat
bankare, dhe t’i keqpërdorin ato.
Ndonëse në Kosovë kjo çështje mund të jetë ende jo evidente,
si shkak i mos përdorimit në masë të platformave online për mbledhje, ruajtje
dhe përpunim të të dhënave, IKAF përmes një manuali të publikuar nga kompania
amerikane CPA Charge, sjell trajtimin e këtij shqetësimi që po e bëjnë kompanitë
në SHBA.
Në këtë publikim të titulluar “Shembull për Politika të
Sigurisë për firmat e Kontabilitetit”, paraqiten edhe disa sugjerime se si
firmat e kontabilitetit duhet të veprojnë në aspektin e trajtimit dhe ruajtjes
së të dhënave të klientëve.