
Instituti KAF (IKAF) ka nënshkruar marrëveshje me Komunën e Gjilanit për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin profesional në administratën komunale dhe në sektorin e arsimit.
Marrëveshjet u nënshkruan nga Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni. Ky bashkëpunim përfshin ofrimin e trajnimeve dhe çertifikimeve të dizajnuara për të rritur standardet profesionale në të dy sektorët, duke kontribuar në përmirësimin e shërbimeve dhe cilësisë së arsimit.
Instituti KAF, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, do të realizojë një projekt gjithëpërfshirës, i cili përfshin dy komponentë kryesorë:
1. Ngritja e kapaciteteve të administratës publike – Ky komponent synon të ofrojë trajnime profesionale për punonjësit e komunës në fusha kyçe si menaxhimi financiar, auditimi i brendshëm, kontrolli i pasurive jofinanciare dhe menaxhimi i riskut. Këto trajnime do të ndihmojnë në përgatitjen e stafit komunal për të përballuar sfidat e përditshme në menaxhimin e burimeve dhe ofrimin e shërbimeve publike më transparente dhe efektive.
2. Zhvillimi profesional i mësimdhënësve dhe drejtuesve arsimorë, nëpërmjet projektit “BEINT – Shkolla e Drejtorëve”. Ky komponent synon edukimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe drejtuesve në arsimin parauniversitar. Programet e trajnimit do të fokusohen në përmirësimin e metodologjive të mësimdhënies, digjitalizimin e shkollave dhe zhvillimin e aftësive drejtuese për drejtuesit e institucioneve arsimore. Ky komponent synon të fuqizojë mësimdhënësit me njohuritë më të fundit për të ndihmuar në përmirësimin e rezultateve të mësimdhënies dhe mësimnxënies, si dhe krijimin e një mjedisi arsimor më të avancuar.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke nënvizuar se investimi në kapacitetet njerëzore të administratës dhe arsimit është investim për të ardhmen e komunës. “Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe avancimin e cilësisë së arsimit në Gjilan. Jam i sigurt se rezultatet do të jenë të prekshme në të ardhmen e afërt”, tha ai.
Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi shprehu entuziazmin e tij për këtë bashkëpunim, duke nënvizuar se këto marrëveshje janë një hap i rëndësishëm për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm. “Trajnimet dhe certifikimet që do të ofrohen do të rrisin cilësinë dhe standardet profesionale në të dyja fushat kyçe – administratën publike dhe arsimin. Kjo nismë do të kontribuojë ndjeshëm në përgatitjen e punonjësve për t’u përballur me sfidat e reja dhe për të avancuar në karrierën e tyre profesionale”, theksoi ai. .
Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve shënon fillimin e një bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet Institutit KAF dhe Komunës së Gjilanit, me qëllim të përbashkët krijimin e një administrate dhe një sistemi arsimor më të fuqishëm dhe më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.