
Prishtinë, 30 tetor 2026 – Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF) ishte pjesë e konferencës rajonale “SHE RISES – Regional Conference for Women Entrepreneurs & B2B Meetings”, edicioni i katërt, e organizuar në Hotel Emerald në Prishtinë.
IKAF u përfaqësua nga Mejreme Krasniqi Sadiku, Udhëheqëse e Departamentit për Shërbime të Përgjithshme, dhe AdelinaZeneli, Nënkryetare e Kuvendit të Anëtarëve të IKAF-it.
Pjesëmarrja në këtë konferencë përfaqëson përkushtimin e IKAF-it për të mbështetur fuqizimin ekonomik dhe profesional të grave, avancimin e rolit të tyre në sipërmarrje dhe rritjen e përfaqësimit në pozitat udhëheqëse dhe vendimmarrëse.
Në një kohë kur zhvillimi ekonomik kërkon më shumë bashkëpunim, inovacion dhe mundësi të barabarta, mbështetja ndaj grave sipërmarrëse dhe profesioniste duhet të shndërrohet në veprime konkrete: qasje në dije, zhvillim profesional, partneritete strategjike dhe mundësi të reja për rritje.
Përmes pjesëmarrjes në platforma të tilla, IKAF riafirmon rëndësinë e edukimit profesional, rrjetëzimit dhe bashkëpunimit institucional si mekanizma që kontribuojnë në një ekonomi më gjithëpërfshirëse dhe konkurruese.
IKAF beson se gratë nuk duhet vetëm të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik, por edhe forcë udhëheqëse në përcaktimin e tij. Mbështetja e tyre është investim në një të ardhme më të fortë për biznesin dhe shoqërinë.
SHE RISES – Kur gratë fuqizohen, krijohen mundësi dhe ngrihet e gjithë shoqëria.