IKAF dhe Komuna e Gjilanit diskutojnë bashkëpunimin për aftësimin dhe certifikimin e zyrtarëve komunalë

Gjilan, 27 tetor 2026

Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF) po synon të thellojë bashkëpunimin me institucionet publike për zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e menaxhimit të financave publike.

Në këtë kuadër, kryetari i anëtarëve të IKAF-it, Prof. Dr. Burhan Rexhepi, zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, ku u diskutua mundësia e bashkëpunimit për aftësimin dhe certifikimin profesional të zyrtarëve komunalë.

Në qendër të diskutimit ishte programi “Zyrtar i Certifikuar në Menaxhimin e Financave Publike”, i cili synon të zhvillojë njohuritë dhe aftësitë praktike të zyrtarëve në planifikimin, ekzekutimin, kontrollin, raportimin dhe auditimin e financave publike.

Përmes këtij programi, zyrtarët komunalë do të kenë mundësi të avancojnë kompetencat e tyre profesionale dhe të përgatiten për përmbushjen sa më efektive të përgjegjësive në administrimin e burimeve financiare publike. Pas përfundimit të trajnimit dhe përmbushjes së kërkesave të programit, pjesëmarrësit do të certifikohen nga IKAF-i me certifikatën “Zyrtar i Certifikuar në Menaxhimin e Financave Publike”.

Bashkëpunimi i synuar ndërmjet IKAF-it dhe Komunës së Gjilanit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së kapaciteteve profesionale të administratës komunale, përmirësimit të raportimit financiar dhe forcimit të praktikave të përgjegjshme në menaxhimin e parasë publike.

IKAF mbetet i përkushtuar në ofrimin e programeve të aftësimit dhe certifikimit profesional, duke kontribuar në zhvillimin e ekspertizës financiare dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të institucioneve publike.

Profesionalizmi, transparenca dhe llogaridhënia mbeten parime thelbësore të kësaj nisme, me synimin për të kontribuar në një administratë publike më efikase dhe në shërbim të qytetarëve të Komunës së Gjilanit.

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *