IKAF përmbyll me sukses dy seminare në kuadër të Javës së Kontabilitetit 2026

Trajnimet në SNRF (IFRS) dhe Auditimin e Performancës mblodhën profesionistë të financave dhe auditimit në Resort Holiday, Sllatinë. Aktivitetet e Javës së Kontabilistëve vazhdojnë deri më 14 nëntor.

Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF) ka përmbyllur me sukses dy seminare profesionale të organizuara në kuadër të Javës së Kontabilistëve 2026, e cila mbahet nga 9 deri më 15 nëntor, nën moton “Së bashku për profesionalizëm, dije dhe rrjetëzim!”

Gjatë datave 9 dhe 10 nëntor, në Resort Holiday, Sllatinë, profesionistët e kontabilitetit, financave dhe auditimit morën pjesë në dy programe të rëndësishme të zhvillimit të vazhdueshëm profesional.

Seminari “Certifikatë Specializimi në SNRF (IFRS) – Niveli Bazë”, i udhëhequr nga ligjëruesi Hajdar Hoxha, trajtoi kërkesat kryesore të Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar dhe rëndësinë e zbatimit të tyre në përgatitjen dhe analizimin e pasqyrave financiare.

Ndërsa seminari “Auditimi i Performancës”, me ligjëruese Albana Gjinopulli, u fokusua në vlerësimin e performancës institucionale, analizimin e rezultateve dhe identifikimin e mundësive për përmirësim përmes auditimit.

Të dy seminaret ofruan nga 10 orë Edukim të Vazhdueshëm Profesional (EVP/CPD), duke kontribuar në avancimin e njohurive dhe kompetencave të pjesëmarrësve.

Dita Ndërkombëtare e Kontabilistëve dhe aktivitetet që vijojnë

Më 10 nëntor, në kuadër të Javës së Kontabilistëve, IKAF organizoi edhe aktivitetin qendror me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kontabilistëve, ku u shpalosën arritjet dhe risitë e institutit, u përcollën urime nga mysafirët dhe u krijuan mundësi për rrjetëzim profesional.

Programi i Javës së Kontabilistëve vazhdon edhe në ditët në vijim me aktivitete të dedikuara për komunitetin e profesionistëve.

11–13 nëntor 2026 – Kafe me drejtorin e IKAF-it

Gjatë këtyre ditëve, nga ora 13:00 deri në 16:00, në sallën e IKAF-it në Prishtinë, do të zhvillohen takime dhe bashkëbisedime me anëtarët e institutit. Këto takime synojnë të krijojnë hapësirë për diskutimin e sfidave profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe prezantimin e ideve për zhvillimin e mëtejshëm të IKAF-it.

14 nëntor 2026 – Seminar profesional në fushën e tatimeve

Programi vazhdon me seminarin “Trajtimi tatimor i shpenzimeve afariste: klasifikimi, kufizimet dhe zbatimi në praktikë”, i cili do të mbahet në sallën e IKAF-it në Prishtinë, me mundësi pjesëmarrjeje në klasë dhe online. Seminari ofron 5 orë EVP/CPD.

IKAF vazhdon të investojë në zhvillimin profesional

Java e Kontabilistëve 2026 dëshmon përkushtimin e IKAF-it për zhvillimin e vazhdueshëm profesional, promovimin e standardeve ndërkombëtare dhe forcimin e komunitetit të kontabilistëve, auditorëve dhe profesionistëve të financave.

Përmes trajnimeve, takimeve dhe aktiviteteve profesionale, IKAF vazhdon të krijojë mundësi për shkëmbim të dijes, avancim të kompetencave dhe bashkëpunim ndërmjet profesionistëve.

Së bashku për profesionalizëm, dije dhe rrjetëzim!

Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa – IKAF

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *