
Mitrovicë, 8 shtator 2025 – Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF) dhe International Business Education (BEINT) kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të digjitalizimit, modernizimit të arsimit dhe forcimit të lidhjes mes universiteteve dhe tregut të punës.
Përmes marrëveshjes me IKAF, studentët e UIBM do të përfitojnë qasjen falas në platformën digjitale IKAF Books+, një mjet inovativ për menaxhimin e kontabilitetit dhe financave. Platforma synon të modernizojë përvojën e të mësuarit, duke afruar studentët me praktikat më të avancuara digjitale në këtë fushë.
Po ashtu, marrëveshja parasheh integrimin e programeve akademike me certifikimet profesionale të IKAF-it, duke krijuar rrugë konkrete drejt punësimit, praktikës profesionale dhe zhvillimit të karrierës.
Në kuadër të marrëveshjes me BEINT, është përcaktuar korniza e bashkëpunimit për përgatitjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e arsimimit, menaxhimit universitar dhe disiplinave të lidhura. Kjo do të mundësojë ngritjen profesionale të profesorëve, asistentëve dhe stafit administrativ të UIBM.
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini”, Prof. dr. Nurten Deva, falënderoi përfaqësuesit e IKAF dhe BEINT për gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre:
“Ky bashkëpunim hap mundësi të reja për komunitetin tonë universitar, si për studentët ashtu edhe për stafin akademik. Jemi të bindur se do të sjellë përfitime të prekshme në rritjen e cilësisë së arsimit dhe digjitalizimit të proceseve tona.”
Ndërsa drejtori i IKAF dhe BEINT, z. Bujar Krasniqi, u shpreh:
“Ky bashkëpunim nuk është vetëm një akt formal, por një hap i madh përpara drejt një universiteti më digjital, më të hapur dhe më të lidhur me tregun e punës. Nga përvojat e përbashkëta do të përfitojnë studentët, profesorët dhe gjithë komuniteti universitar.”
Memorandumet e nënshkruara ofrojnë kornizën për një bashkëpunim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Ato janë shembull i një modeli që synon të ndërthurë teorinë me praktikën, akademinë me tregun e punës dhe dijen me standardet ndërkombëtare.
Ky hap strategjik pritet të gjenerojë projekte të reja, rezultate konkrete dhe një eksperiencë që do të mund të shërbejë si model edhe për bashkëpunime të tjera në nivel kombëtar dhe rajonal.




