ATK lanson tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues: Udhëzuesi Interaktiv, Kalkulatorët Tatimor, si dhe Denoncimi i Parregullsive Tatimore

Në një ngjarje të organizuar Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e mbështetur nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, ka lansuar tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues (II) udhëzuesi interaktiv tatimor, (II) kalkulatorët tatimor, si dhe (III) sistemi për denoncimin e parregullsive tatimore. Këto shërbime elektronike do t’u ndihmojnë tatimpaguesve që të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore, të bëjnë vlerësimin e obligimeve tatimore, si dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike.

Në këtë ngjarje mori pjesë zv. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Avni Zogiani, i cili u shpreh shumë i kënaqur me shërbimet e ofruara për tatimpagues deri më tani. Ai shtoi se tri shërbimet e reja do të mundësojnë përfshirjen e sa më shumë tatimpaguesve nën ombrellën e sistemit tatimor.

Gjatë fjalimit të tij, zv. Drejtori Ekzekutiv i ATK-së, z. Ilir Murtezaj, vlerësoi mbështetjen e dhënë nga USAID në ngritjen e kapaciteteve të ATK-së, që nga themelimi i këtij institucioni. Z. Murtezaj theksoi se përkundër vështirësive, ATK-ja vazhdon të shtojë numrin e tatimpaguesve, të rris kualitetin dhe të zgjerojë gamën e shërbimeve për tatimpagues.

Ai gjithashtu potencoi se ATK kujdeset që edhe siguria e tatimpaguesve të jetë në nivel, derisa shtoi se si institucion po bëjnë përpjekje të ulin kostot e administrimit tatimor, duke rritur efikasitetin e brendshëm përmes automatizimit të proceseve të punës. Ndërkaq, sa i përket lansimit të tri shërbimeve të reja për tatimpagues, ai tha se të njëjtat do të ndikojnë në rritjen e mbledhjes së të hyrave tatimore për buxhetin e Kosovës, në mënyrë më efikase dhe transparente.

Ndërsa, Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID Kosovë, z. Alexander Albertine, gjatë fjalimit të tij tha se konsistenca e ATK-së në përmirësimin e shërbimeve për tatimpagues është shumë inkurajuese. Ai gjithashtu tha se USAID ka pasur kënaqësinë të jetë përkrah ATK-së në rrugën drejt përvetësimit të digjitalizimit, dhe përmirësimit të integritetit institucional të saj.

Gjatë kësaj ngjarje, përmes një paneli të diskutimit u fol edhe për transformimin digjital të ATK-së në përgjithësi, me theks të veçantë në ndikimin potencial të shërbimeve të reja elektronike për qytetarët.

KËTU mund t’i gjeni shërbimet më të reja elektronike.

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *