Njoftim për tatimpagues – Pagesë shtesë për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se ka zhvilluar Sistemin Elektronik EDI për të mundësuar edhe parashtrimin e kërkesave për të përfituar nga Pakoja Fiskale Emergjente për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave të bukës dhe barnatoreve, të cilët ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorin gjatë punës së bërë.

Sipas Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente, personat të cilët do të përfitojnë sipas Masës 7, kërkesat e tyre do t’i dërgojnë përmes Sistemit Elektronik EDI, më së largu deri më 15 maj 2020.

Për përfituesit nga Masa 7, punëdhënësit, përmes Sistemit Elektronik EDI duhet të plotësojnë formularin “Kërkesë për shtesë të punëtorëve të ekspozuar ndaj rrezikut” dhe të bashkëngjisin listën e të punësuarve, ashtu siç është dizajnuar nga ATK. Formulari gjendet në Sistemin EDI, në menynë Shërbimet – Kërkesë për punëtorët e rrezikuar, ndërsa lista e cila duhet të plotësohet me të dhënat e të punësuarve, mund të shkarkohet në të njëjtin link, përmes butonit  “Shkarko mostrën”.

Sipas Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente, gjegjësisht Masës 7, pikës 2.1, jo të gjithë punëtorët e dyqaneve, furrave dhe barnatoreve do të përfitojnë nga kjo shtesë, meqë ajo është e kufizuar në kushtin që punëtori të ketë kontakt të drejtpërdrejt me konsumatorin gjatë punës së bërë.

Andaj, për të përfituar nga kjo masë, punëdhënësi duhet të deklaroj se biznesi është aktiv gjatë muajve Mars – Prill 2020 dhe ushtron veprimtari afariste, si: dyqan ushqimor dhe/ose furrë buke dhe /ose barnatore.  Po ashtu, duhet të deklaroj se punëtorët në listën e deklaruar janë në kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorin gjatë ushtrimit të aktivitetit në vendin e tyre të punës.

Udhëzuesin për kompensim të shtesave të punëtorëve të ekspozuar ndaj rrezikut, e gjeni në ueb-faqe të ATK-së www.atk-ks.org në këtë link në mënynë Multimedia – Manuale & Prezantime

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *