
Më 30 maj 2025, në ambientet e Institutit KAF, u mbajt mbledhja e rregullt e Kuvendit të Përgjithshëm, ku u miratuan Raporti Vjetor dhe Raporti Financiar për vitin 2024. Kjo mbledhje shënoi një moment domethënës jo vetëm për zhvillimet institucionale të vitit të kaluar, por edhe për përjetimin e një boshllëku të madh emocional – mungesën e anëtares së Kuvendit dhe bashkëpunëtores sonë të dashur, Arlinda Krasniqi – Pemaj, e cila u nda nga jeta më 15 maj 2025, në moshën e hershme 29-vjeçare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori Ekzekutiv i IKAF, z. Bujar Krasniqi, theksoi se viti 2024 shënoi vazhdimësinë e angazhimit të institutit për cilësi, përmirësim të pandërprerë dhe ndikim në zhvillimin e profesionit të kontabilistit, këshilltarit tatimor, auditorit, dhe financierëve në Kosovë. Ai u ndal me ndjenjë të thellë tek mungesa e Arlindës, e cila për dy mandate me radhë kishte qenë pjesë aktive e Kuvendit dhe kontributdhënëse e pashoqe në zhvillimin profesional, etik dhe institucional të IKAF-it.
“Arlinda nuk ishte vetëm një anëtare e Kuvendit – ajo mishëronte një model të vërtetë të atij patriotizmi të heshtur që ndërtohet çdo ditë përmes dijes, përulësisë dhe përgjegjësisë ndaj punës. Kontributi i saj është pjesë e ADN-së së Institutit KAF dhe do të mbetet gjithmonë i gjallë në rrugëtimin tonë të përbashkët.”
Në nderim të jetës dhe veprës së saj, mbledhja u hap me një minutë heshtje, ndërsa në fund të raportit vjetor është përfshirë një faqe përkushtimi në kujtim të saj, si një shenjë mirënjohjeje për gjithçka që ajo i dha institutit dhe komunitetit profesional.

Punimet e Kuvendit u drejtuan z. Aziz Berisha, Kryetari i Kuvendit të IKAF , ndërsa Raporti Vjetor për vitin 2024 u prezantua nga z. Imri Semetishti, anëtar i Bordit të Institutit. Raporti përfshinte të arriturat në fushën e certifikimeve, edukimit të vazhdueshëm profesional, si dhe zgjerimin e bashkëpunimeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Raporti Financiar për vitin 2024 u paraqit nga z.Bujar Krasniqi, Drejtori Ekzekutiv i Institutit, i cili vuri në pah rritjen e aktiviteteve trajnuese, transparencën financiare dhe menaxhimin e kujdesshëm të shpenzimeve. Ai theksoi gjithashtu nevojën për investime të reja në digjitalizim dhe inteligjencën financiare, si dhe për forcimin e kapaciteteve të brendshme, për të përmbushur kërkesat gjithnjë në rritje të anëtarëve dhe partnerëve.

Kryetari i Kuvendit të IKAF, në fjalën e tij, vlerësoi punën e bërë gjatë vitit dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së gjerë të anëtarëve në proceset vendimmarrëse, si dhe nevojën për forcimin e mëtejshëm të etikës profesionale dhe përgjegjësisë institucionale.
“IKAF është ndërtuar mbi parimet e përgjegjësisë, profesionalizmit dhe përkushtimit. Është koha të forcojmë edhe më shumë këto shtylla, duke u mbështetur në trashëgiminë që na kanë lënë njerëz si Arlinda.”
Mbledhja e Kuvendit të Përgjithshëm për vitin 2024 ishte më shumë sesa një procedurë formale – ishte një akt reflektimi, nderimi dhe angazhimi për të ardhmen. Ajo dëshmoi për seriozitetin me të cilin IKAF e zhvillon misionin e vet, por edhe për lidhjen e fortë mes vlerave humane dhe profesionalizmit.
Instituti KAF mbetet i përkushtuar për të ofruar standarde të larta në certifikim, trajnim dhe zhvillim profesional – në shërbim të profesionistëve të kontabilitetit, auditimit dhe financës në Kosovë dhe më gjerë.
Faleminderit, Arlinda. Do të jesh gjithmonë me ne.
“Disa njerëz nuk largohen kurrë vërtet – ata mbeten aty ku është zemra jonë.”





