Instituti KAF dhe Komuna e Rahovecit nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve

Rahovec, 4 Mars 2025

Instituti KAF dhe Komuna e Rahovecit kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të zhvillimit profesional dhe ngritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore në administratën publike dhe arsimin parauniversitar. Marrëveshja u firmos nga Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi, dhe Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, në një ceremoni që shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike dhe arsimore në komunë.

Ky bashkëpunim do të mundësojë ofrimin e trajnimeve dhe certifikimeve të specializuara, me fokus në përmirësimin e standardeve profesionale, efikasitetin dhe transparencën në ofrimin e shërbimeve publike. Në kuadër të marrëveshjes, do të realizohet një program gjithëpërfshirës i cili përfshin:

  • Trajnime për administratën komunale në fushat e menaxhimit financiar, auditimit të brendshëm, kontrollit të pasurive dhe menaxhimit të riskut, duke synuar përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe transparencës në qeverisjen lokale.
  • Zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe drejtuesve arsimorë përmes programit “BEINT – Shkolla e Drejtorëve”, duke fokusuar në avancimin e metodologjive të mësimdhënies, digjitalizimin e shkollave dhe përmirësimin e aftësive drejtuese.

Me këtë marrëveshje, Rahoveci po bëhet pjesë e një transformimi të rëndësishëm, ku zhvillimi i burimeve njerëzore vendoset në qendër si motor kryesor i përmirësimit të shërbimeve publike dhe qeverisjes lokale.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke vlerësuar investimin në kapacitetet njerëzore si një investim për të ardhmen e komunës. “Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe avancimin e cilësisë së arsimit në Rahovec. Jam i sigurt se rezultatet do të jenë të prekshme në të ardhmen e afërt,” u shpreh z. Latifi.

Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi, shprehu entuziazmin për këtë bashkëpunim, duke potencuar se këto marrëveshje janë një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm. “Trajnimet dhe certifikimet që do të ofrohen do të rrisin cilësinë dhe standardet profesionale në të dyja fushat kyçe – administratën publike dhe arsimin. Kjo nismë do të kontribuojë ndjeshëm në përgatitjen e punonjësve për t’u përballur me sfidat e reja dhe për të avancuar në karrierën e tyre profesionale.”

Instituti KAF mbetet i përkushtuar për të mbështetur institucionet publike dhe komunitetin arsimor në rrugën e tyre drejt përmirësimit të standardeve profesionale dhe ngritjes së kapaciteteve, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *