IKAF dhe Komuna e Prizrenit formalizojnë bashkëpunimin për zhvillimin e administratës publike

16 Mars 2026, Prizren

Instituti KAF (IKAF) ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve profesionale në sektorin publik.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi, dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, me synimin për të avancuar zhvillimin profesional të zyrtarëve komunalë dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Ky bashkëpunim fokusohet në ofrimin e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në fusha kyçe si menaxhimi financiar, auditimi i brendshëm, menaxhimi i riskut dhe kontrolli i pasurive jofinanciare. Përmes këtyre aktiviteteve, synohet ngritja e standardeve të qeverisjes dhe rritja e transparencës në administratën publike.

Në kuadër të marrëveshjes, dy zyrtarë të Komunës së Prizrenit do të kenë mundësinë të ndjekin programin profesional “Zyrtar i Certifikuar në Menaxhimin e Financave Publike”, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve institucionale në këtë fushë.

Drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, z. Bujar Krasniqi, theksoi se bashkëpunimet me institucionet publike janë thelbësore për ngritjen e standardeve profesionale dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit publik.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, vuri në pah rëndësinë e investimit në zhvillimin profesional të stafit si një ndër mënyrat më efektive për përmirësimin e shërbimeve publike dhe përballimin e sfidave moderne të administratës.

Ky memorandum shënon fillimin e një partneriteti afatgjatë ndërmjet IKAF-it dhe Komunës së Prizrenit, me fokus në ndërtimin e një administrate më profesionale, transparente dhe të përgatitur për të ardhmen.

Shkruaj një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *